Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) ka dënuar ashpër dhunën e ushtruar nga efektivë të Policisë së Shtetit ndaj gazetarit të Ora News, Edison Vatnikaj, gjatë raportimit të protestës sot para Kuvendit.
Sipas një deklarate të AGSH-së, nga pamjet filmike dhe informacionet e mbledhura në terren rezulton se punonjës të Policisë së Shtetit kanë goditur fizikisht gazetarin në momentin kur ai po filmonte shoqërimin e një protestuesi.
“Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë dënon me forcë dhunën e ushtruar nga efektivët e Policisë së Shtetit ndaj gazetarit të Ora News, Edison Vatnikaj. Ky është një akt i rëndë dhe i papranueshëm, që përbën një cenim të drejtpërdrejtë të lirisë së medias dhe të së drejtës së publikut për t’u informuar”, thuhet në reagim.
AGSH thekson se gazetarët kanë të drejtën dhe detyrimin të dokumentojnë ngjarjet me interes publik, pa u përballur me dhunë, intimidim apo pengesa nga autoritetet.
Sipas organizatës, incidenti nuk ishte një rast i izoluar. Gjatë raportimit të protestës, edhe ekipe të tjera mediatike janë penguar në ushtrimin e detyrës së tyre, duke u përballur me ndërhyrje dhe kufizime të pajustifikuara nga efektivët e Policisë së Shtetit.
Në deklaratë thuhet se këto veprime krijojnë një klimë frikësimi ndaj gazetarëve dhe përbëjnë një përshkallëzim serioz të presionit ndaj medias.
AGSH shpreh gjithashtu shqetësimin se, pavarësisht reagimeve të mëparshme dhe standardeve kombëtare e ndërkombëtare për mbrojtjen e gazetarëve, raste të tilla vazhdojnë të përsëriten.
Në përfundim, Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë i bën thirrje Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore të nisë menjëherë hetimet për ngjarjen dhe të vendosë përpara përgjegjësisë ligjore efektivët e përfshirë në ushtrimin e dhunës ndaj gazetarëve.
