Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) ka ndjekur me vëmendje protestën e zhvilluar ditën e sotme, më 31 tetor 2026, ndërsa nga raportimet në terren vijon të mbetet shqetësuese sjellja e Policisë së Shtetit ndaj gazetarëve dhe punonjësve të medias.
Deri në këto momente, AGSH ka dokumentuar të paktën dy raste të pengimit të gazetarëve nga efektivë të Policisë së Shtetit, me pretendimin se ata nuk mund të kalonin përtej të ashtuquajturit “kordon policor”.
AGSH rithekson se vendosja e kufijve të raportimit për gazetarët, veçanërisht në situata kur protestat zhvillohen në hapësira të ndryshme publike dhe ngjarjet ndryshojnë vazhdimisht vendndodhje, përbën një kufizim të pajustifikuar të lirisë së medias dhe pengon drejtpërdrejt ushtrimin e detyrës së tyre.
Masat e sigurisë të ndërmarra nga Policia e Shtetit nuk duhet të shndërrohen në instrumente për kufizimin e aksesit të gazetarëve në informacion apo për pengimin e dokumentimit të veprimeve të autoriteteve gjatë protestave.
Gjithashtu, AGSH ka dokumentuar përdorimin e sprajit me piper ndaj gazetareve të A2 CNN, Fjorela Beleshi dhe Kleida Muka e Top News dhe operatori Eugert Hoxha i A2CNN gjatë ushtrimit të detyrës së tyre në terren.
Një tjetër incident është dokumentuar ndaj gazetares së Top Channel, Elda Menga, e cila është sulmuar verbalisht nga një burrë rreth të 50-ave gjatë raportimit nga protesta. AGSH dënon këtë sjellje intimidimi ndaj gazetares dhe thekson se asnjë përfaqësues i medias nuk duhet të përballet me fyerje, kërcënime apo presione gjatë ushtrimit të profesionit, pavarësisht se nga kush vijnë ato.
AGSH e konsideron të papranueshëm përdorimin e forcës ndaj gazetarëve dhe kërkon nga Policia e Shtetit të japë shpjegime të menjëhershme për incidentet e dokumentuara, si dhe të identifikojë efektivët përgjegjës.
Asociacioni rikujton se gazetarët kanë të drejtë të raportojnë lirshëm nga protestat dhe të dokumentojnë veprimet e institucioneve publike, përfshirë ato të forcave të rendit. Çdo kufizim i kësaj të drejte duhet të jetë i ligjshëm, i domosdoshëm dhe proporcional, ndërsa siguria e gazetarëve duhet të garantohet në çdo rrethanë.
AGSH i bën thirrje Policisë së Shtetit të ndalojë menjëherë çdo formë pengimi, intimidimi apo përdorimi të pajustifikuar të forcës ndaj përfaqësuesve të medias. Njëkohësisht, u bën thirrje protestuesve dhe qytetarëve të respektojnë punën e gazetarëve dhe të shmangin çdo formë agresioni verbal apo fizik ndaj tyre.
Pas incidenteve të përsëritura gjatë protestave të javëve të fundit, AGSH vlerëson se këto raste nuk mund të trajtohen më si ngjarje të izoluara. Mungesa e përgjegjësisë për incidentet e mëparshme rrezikon të krijojë një klimë pandëshkueshmërie dhe të cenojë më tej sigurinë e gazetarëve në Shqipëri.
