Këshilli i Mandateve vendosi shtyrjen e mbledhjes për të shqyrtuar kërkesën e SPAK që kërkon arrestimin e deputetit Arben Ahmetaj.

Pas këtij vendimi, Gazment Bardhi në një prononcim për mediat tha se kjo është bërë për t’i dhënë më shumë kohë Ahmetajt për t’u fshehur nga drejtësia, teksa akuzoi mazhorancën se po e ndihmon për të arritur këtë qëllim.

Gjatë fjalës së tij, Bardhi shtoi se në mbledhje, opozita ka pyetur SPAK-un nëse kanë informacione se ku ndodhet Ahmetaj dhe shteti që ai përmendi ishte Kanadaja duke ngritur spekulimet për vendodhjen e Ahmetajt, por megjithatë ka shtuar se nuk do të aludojë për vendin ku ndodhet deputeti.

Gazment Bardhi: Mbledhja e Këshillit të Imunitetit filloi me një kërkesë që mbledhja të ishte e hapur për mediat, ishte kërkesa e SPAK që mbledhja të zhvillohej me dyer të mbyllura. Në mënyrë arbitrare, mazhoranca e mori vendimin pa miratim të Këshillit e vijoi me dyer të mbyllura.

Diskutimet e SPAK nuk kishin informacione shtesë përveç atyre të bëra publike. U bë për t’i dhënë kohë Ahmetajt. Avokatët e kishin bindjen se nuk kishte ikur për t’u arratisur. Në një tentativë për t’i dhënë kohë Ahmetajt iu vendos të shtyhej mbledhja, duke tentuar shtyrjen për dhënien e e autorizimit javën që vjen. Kjo është ndihmë që mazhoranca po i jep Ahmetajt për t’u fshehur nga drejtësia. Kuvendi kishte vetëm një detyrë që do të duhet të kishte lejuar prokurorinë që t’i drejtohet gjykatës.

Kam pyetur drejtuesin e SPAK nëse Ahmetaj është në Shqipëri apo ndodhet në Kanada. Nuk kam marrë një përgjigje nga drejtuesi i SPAK dhe nuk dua të aludoj për vendin ku ndodhet. Informacioni që ne dispononim, që a ndodhet në Shqipëri, u konfirmua prej avokatëve të tij, që Ahmetaj nuk ndodhet në Shqipëri. Nga data 7 Korrik dhe mbërritjen në Kuvend kanë kaluar 3 apo 4 ditë që janë të mjaftueshme që Ahmetaj të largohej nga Shqipëria.

I pyetur nga gazetarët se a kishte emra të tjerë të njohur në fashikujt e Prokurorisë lidhur me këtë dosje, Bardhi ka thënë se kishte më shumë se numri që duhet për të formuar një grup parlamentar.

Pyetje: A kishte emra të tjerë VIP në fashikujt e Prokurorisë?

Gazment Bardhi: Më shumë se numri i nevojshëm për të formuar një grup parlamentar.

Teksa ka dhënë disa detaje në lidhje me mbledhjen e ditës së sotme, Bardhi ka përgëzuar prokurorët e SPAK për hetimin e thelluar për këtë çështje.

Gazment Bardhi: Nesër do të dëgjojmë pretendimet e avokatëve të Ahmetajt. Unë i kam pyetur nëse kanë informacione që është Rama që po nxit hetimin ndaj Ahmetajt për të shpëtuar veten dhe avokatët nuk kanë konfirmuar që ka një presion nga Rama. Avokatët pretenduan që nuk është larguar për t’u arratisur. Nuk kishim nevojë për t’u vonuar kaq shumë. Me gjasa autorizimi jepet javën që vjen. Nuk ka ndodhur në raste të tjera kjo vonesë. Faktet e provat e sjella nga SPAK janë shterruese, është një punë profesionale nga prokurorët dhe nuk ka asnë arsye pse Kuvendi do të refuzojë dhënien e autorizimit. Për PD, edhe për mua si kallëzues, Ahmetaj do të duhet të ishte në burg që në 2020-ën kur ne kemi paraqitur kallëzimin penal. I përgëzoj prokurorët që e kanë shtrirë hetimin dhe tek pasuria e Ahmetajt. Për çdo shkelje të ligjit, duhet të ketë edhe hetim financiar.