Një ditë pas debateve të forta në studion e Top Story në Top Channel, lidhur me ngritjen e akuzave nga SPAK për Ilir Metën, reagoi nga qelia presidenti Partisë së Lirisë.
Pasi këmbëngul se nuk jemi përballë një “Meta Gate” por “SPAK Gate”, Ilir Meta për herë të parë ka zbuluar detaje për sa i përket aferës së lobimit në SHBA. për të cilën ai është vënë nën akuzë.
“Ka qenë tronditës fakti që ish-kolegu im në LSI, i cili më kishte prezantuar me avokatin greko-amerikan në Greqi dhe i cili propozoi edhe në mbledhjen e Kryesisë së LSI-së që të paguheshin 15 mijë USD parapagim për kompaninë “McKeon Group” dhe i cili më pas erdhi me mua edhe në SHBA për ceremoninë e inagurimit të Presidentit Trump dhe ishte në çdo takim ku ndodhej edhe Z. Fidetzis kishte deklaruar se nuk e njihte Z. Fideszis”, ka shkruar Meta.
Më tej, Ilir Meta e mohon pasjen dijeni për kontratën e lobimit, e po ashtu ngre akuza ndaj Endrit Brahimllarit, ish-nënkryetarin e Partisë së Lirisë, i cili pasi u përjashtua nga PL, kandidoi me PS në zgjedhjet e 11 majit.
“Endrit Braimllari është marrë në pyetje nga SPAK-u, pasi ka firmosur për lobimin dhe pa patur për detyrë që ndjekë zbatimin e tyre, pasi ai përgjigjej edhe për organizimin edhe financat. Çuditërisht, Endriti pasi hyri tek SPAK si përfaqësues i PL (LSI), doli si ‘rilindas’ i Edi Ramës dhe siç dihet publikisht, u fut edhe në listën e PS për kandidat për deputet në tiranë”- tha Meta.
I kontaktuar nga gazetari Top Channel Muhamed Veliu pas këtyre akuzave të Ilir Metës, Endrit Brahimllari dha këtë koment.
“Kjo është një çështje e ezauruar për mua që në vitin 2023. Nuk komentoj çështje që i takojnë drejtësisë. Emri i Endrit Braimllari nuk mund të mbulojë dot hallet që kanë me drejtësinë”, tha Braimllari./ Top Channel


