Është prezantuar rregullorja nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) “Për zbatimin e regjimit të Autorizimit të Përgjithshëm”, një akt i rëndësishëm nënligjor “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipëri”.
Në një takim me operatorët e tregut mbi kërkesat, detyrimet dhe procedurat e reja rregullatore, kryetari i AKEP, Gentian Sala, nënvizoi rëndësinë e zbatimit, duke e konsideruar si hapin e parë drejt një kuadri rregullator më të konsoliduar dhe funksional.
“Unë mendoj që ka shumë subjekte që nuk meritojnë të jenë në treg. Mënyrën si ofrojnë shërbimin, si ofrohen tek konsumatori, si shtrijnë infrastrukturën. Megjithatë, rregullorja do zbatohet në të gjitha pikat e saj dhe ne ndaj kemi përcaktuar kriteret”, tha Sala.
Drejtoresha e Administrimit të Burimeve të Fundme të AKEP, Enkeleda Domi tha: “Risi që lidhen me rrjetin e komunikimit elektronik, me të drejtat e aksesit për të gjithë operatorët. Lidhur me strukturën e re dhe plot risi të tjera që duhet të reflektoheshin në këtë akt rregullator.”
Rregullorja e re, sipas kryetarit Sala, do të japë një hap mbështetës edhe në inspektimet më eficente, duke forcuar konkurrencën dhe garantuar ofrimin e shërbimeve cilësore. /Top Channel/


