Arrestimi i Xhevdet Plakut në megaoperacionin e fundit të zhvilluar nga RENEA dhe Policia e Shtetit ka rikthyer në vëmendje një nga figurat më të errëta të krimit të organizuar në Ballkan dhe Europë.
Me një aktivitet kriminal që shtrihet për mbi 25 vite në Itali, Shqipëri dhe Holandë, Plaku i njohur me nofkën “Akili” ka qenë në kërkim ndërkombëtar dhe ka operuar me mbi 25 identitete të ndryshme.
Plaku është akuzuar për një sërë krimesh të rënda, përfshirë dy vrasje. E para ndodhi në vitin 2000 në Itali, ku ekzekutoi me një plumb në kokë Sali Rapin, si pjesë e një konflikti mes bandave rivale.
Tre vjet më vonë, në Durrës, dyshohet për një tjetër vrasje, ndërsa në vitin 2019 u tentua të likuidohej nga Rexhep Rapi, i forti i Shijakut, në shenjë hakmarrjeje për vëllain e vrarë.
Sipas dosjeve hetimore dhe përgjimeve të Sky ECC, Plaku ishte në krye të një rrjeti kriminal që importonte kokainë nga Holanda dhe Belgjika, me markime luksoze si “Hermes” dhe “PlayBoy”, në varësi të cilësisë së drogës. Emri i tij u lidh gjithashtu me dosjen e trafikut të drogës ku përfshiheshin ish-zyrtarë të policisë, si Dedan Gjoni dhe Erzen Breçani.
Plaku ka mbijetuar nga të paktën pesë atentate të dokumentuara dhe është ekstraduar katër herë nga Interpoli. Megjithëse i akuzuar për vrasje, ka arritur t’i shpëtojë dënimit në rrethana të dyshimta, shpesh për shkak të pushimeve hetimore ose gabimeve proceduriale.
Koha më e gjatë që ka kaluar pas hekurave? Vetëm pak më shumë se katër vjet një shifër që flet shumë për aftësinë e tij për t’i shpëtuar drejtësisë, derisa “Enigma” e tij u zgjidh këtë të premte në Durrës.
