Aksi rrugor “Librazhd- Përrenjas vijon të jetë i bllokuar që prej ditës së shtunë për shkak të shembjes të një pjese të asfaltit. Ky bllokim ka krijuar probleme dhe trafik të rënduar në rrugët alternative që janë zgjedhur nga ARRSH për të mundësuar lidhjen mes juglindjes së vendit dhe qyteteve të Shqipërisë së mesme.
Kjo situatë duket se ka “prishur” dhe planet e kryeministrit Edi Rama, i cili ditën e sotme pritej të udhëtonte drejt qytetit të Korçës, për të marrë pjesë në inaugurimin e Polit të Dijes. Mediat raportojnë se kryeministri ka zgjedhur të shkojë me helikopter drejt Korçës, megjithatë ende nuk dihet asgjë, pasi nga kryeministria nuk ka asnjë njoftim.
Kujtojmë se sot në mesditë ishte planifikuar hapja e rrugës, pas dëmtimeve që pësoi aksi në vendin e quajtur ‘Arra e Gurrës’. Por sot në këtë vend, pati sërish rrëshqitje, duke bërë që të anulohen planet. Madje dhe mjetet e tonazhit të rëndë që po punonin për hapjen e rrugës janë zhvendosur nga vendi i ngjarjes, për shkak të rrezikshmërisë së lartë.


