Një aksident i rëndë rrugor i ndodhur në aksin Laç–Patok i ka marrë jetën një 37-vjeçari, ndërsa policia ka arrestuar drejtuesen e automjetit të përfshirë në ngjarje.
Sipas autoriteteve, aksidenti ndodhi rreth orës 13:00, kur një automjet i drejtuar nga një 33-vjeçare u përplas me një ciklomotor që drejtohej nga një banor i Fushë-Kuqes. Si pasojë e përplasjes, drejtuesi i ciklomotorit mbeti i plagosur rëndë.
I dëmtuari u transportua me urgjencë në Spitalin e Traumës në Tiranë, por nuk mundi t’u mbijetonte plagëve të marra dhe ndërroi jetë disa orë më vonë.
Pas aksidentit, specialistët e Policisë Rrugore arrestuan në flagrancë 33-vjeçaren, e cila akuzohet për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, me pasojë vdekjen e një personi.
Ndërkohë, Prokuroria ka nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e plota të aksidentit tragjik.
