Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar pas mesnate në aksin Elbasan-Cërrik, ku një 31-vjeçar ka humbur jetën.

Sipas informacioneve paraprake, i riu, me inicialet M.K., ishte duke udhëtuar me motomjetin e tij kur dyshohet se ka humbur kontrollin e drejtimit.

Paraprakisht, shkak i aksidentit dyshohet të ketë qenë shpejtësia e lartë, e cila ka bërë që drejtuesi të mos mund të kontrollonte motomjetin në momentet kritike.

Për pasojë, ai ka dalë nga rruga dhe është përplasur me barrierat mbrojtëse anësore. Goditja ka qenë e fortë dhe 31-vjeçari ka marrë plagë të rënda.

Pavarësisht ndërhyrjes, i riu nuk ka mundur t’u mbijetojë dëmtimeve dhe ka ndërruar jetë në vendngjarje.

Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.