Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen është regjistruar mëngjesin e kësaj të hëne në aksin rrugor Bradashesh-Peqin, në vendin e njohur si “Paraburgimi”.
Sipas informacionit paraprak të policisë, një automjet tip “BYD”, me drejtues një 47-vjeçar banues në Papër, ka përplasur një këmbësore rreth 60 vjeçe.
Përplasja ka qenë fatale për gruan, e cila ka humbur jetën në vendngjarje. Identiteti i saj ende nuk është bërë i ditur.
Pas aksidentit, drejtuesi i automjetit është shoqëruar në Komisariat, ku po kryhen veprimet e mëtejshme procedurale.
Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit, përcaktimin e shkakut të përplasjes dhe identifikimin e viktimës.
