Një aksident i rëndë rrugor me pasojë vdekjen e një personi është regjistruar në orët e para të mëngjesit në aksin Korçë–Pogradec, pranë fshatit Vloçisht.
Sipas informacioneve paraprake, një automjet tip “Benz”, i drejtuar nga 26-vjeçari me inicialet O. P., është përplasur me një automjet tip “Audi”, që drejtohej nga shtetasi K. C., 27 vjeç.
Për shkak të përplasjes së fortë, drejtuesi i mjetit “Benz” ka humbur jetën në vendngjarje.
Nga aksidenti kanë mbetur të plagosur edhe drejtuesi i automjetit “Audi” dhe një pasagjer që udhëtonte me të. Të dy janë transportuar në spital, ku po marrin ndihmë mjekësore dhe, sipas policisë, ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor ka nisur veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit dhe përcaktimin e shkakut që çoi në këtë ngjarje tragjike.
