Një aksident tragjik ka ndodhur mbrëmjen e sotme në superstradën Lezhë–Shkodër, pranë aksit që lidh zonën e Fishtës me rrugën kryesore.

Një automjet tip “Audi” ka përplasur një 12-vjeçar, i cili po lëvizte me një minipatine. Përplasja ka qenë e fortë dhe, pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme dhe transportimit drejt spitalit, i mituri ka humbur jetën gjatë rrugës.

Pas përplasjes, drejtuesi i “Audit” ka humbur kontrollin e automjetit, i cili ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në kanal.

Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë, ndërsa drejtuesi i automjetit është shoqëruar për t’u marrë në pyetje.

Grupi hetimor po punon për të përcaktuar rrethanat dhe shkaqet e aksidentit që i mori jetën 12-vjeçarit.