Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur pasditen e sotme në aksin Shkodër-Lezhë, në vendin e quajtur Kryebushat, ku dy automjete janë përplasur me njëri-tjetrin. Përplasja ka rezultuar fatale për një 83-vjeçar, i cili ndërroi jetë në Spitalin Rajonal të Shkodrës. Ndërkohë, drejtuesi tjetër i automjetit, një 67-vjeçar shtetas francez, është shoqëruar nga policia për veprime të mëtejshme hetimore.
Shkodër/Informacion paraprak
Më datë 30.09.2026, rreth orës 15:30, në aksin rrugor “Shkodër-Lezhë”, në vendin e quajtur Kryebushat, janë përfshirë në një aksident rrugor dy automjete, me drejtues shtetasit P. L., 67 vjeç, shtetas francez, dhe Gj. N., 83 vjeç, banues në Shkodër.
Si pasojë e aksidentit, shtetasi Gj. N., ka humbur jetën në Spitalin Rajonal Shkodër.
Shtetasi P. L. është shoqëruar në ambientet e DVP Shkodër, për veprime të mëtejshme.
Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë dhe dokumentimin e rrethanave të aksidentit.
