Një aksident me pasojë vdekjen është regjistruar rreth orës 14:00 në superstradën Milot–Fushë Krujë, pranë mbikalimit të Patokut.
Sipas të dhënave paraprake, viktima është një person ende i paidentifikuar, i cili po udhëtonte me motoçikletë në momentin e përplasjes. Dyshohet se motoçikleta ka qenë duke lëvizur në krah të kundërt të rrugës, kur është përplasur me një trajler që po qarkullonte në drejtim të Lezhës.
Përplasja ka rezultuar fatale për drejtuesin e motoçikletës, i cili ka humbur jetën në vendngjarje.
Menjëherë pas aksidentit kanë mbërritur shërbimet e Policisë, ndërsa grupi hetimor ka nisur punën për të sqaruar rrethanat dhe shkaqet e plota të ngjarjes.
