Një aksident i rëndë automobilistik është regjistruar në orën 1:00 të mëngjesit të sotëm në fshatin Bicaj, ku një automjet tip Volkswagen me targa AA855VJ ka dalë nga rruga dhe ka fluturuar mbi një shtëpi.
Nga aksidenti kanë mbetur të plagosur drejtuesi i mjetit dhe dy pasagjerët, të cilët, pas ndihmës së parë të marrë në urgjencën e Kukësit, janë dërguar për ndihmë të specializuar në spitalin e traumës për shkak të plagëve të marra. Sipas burimeve spitalore, të tre të plagosurit janë në gjendje të qëndrueshme, pavarësisht plagëve të marra. Menjëherë pas ngjarjes, policia ka shkuar në vendngjarje dhe po kryen hetimet për të sqaruar rrethanat e aksidentit. Ndërkohë, nga pamjet duket qartë se automjeti ka dalë nga rruga duke fluturuar në murin rrethues të banesës dhe më pas mbi çatinë e saj, ku dëmet materiale janë të konsiderueshme, si për mjetin, ashtu edhe për pronarët e shtëpisë.
