Një aksident rrugor është regjistruar mëngjesin e sotëm në aksin Lushnje-Berat, pranë fshatit Qerret, ku janë përfshirë dy automjete dhe kanë mbetur të plagosur tre persona.
Sipas burimeve zyrtare nga policia, dyshohet se shkak i aksidentit ka qenë një parakalim i gabuar nga drejtuesi i një mjeti tip Audi, i cili nuk ka llogaritur kohën dhe distancën e sigurisë, duke u përplasur me një mjet tip Skoda.
Në automjetin Audi udhëtonin dy persona, ndërsa në mjetin Skoda ndodhej vetëm drejtuesi i tij. Të tre personat kanë pësuar lëndime dhe janë transportuar menjëherë në spitalin e Lushnjës.
Nga të dhënat e fundit, mësohet se gjendja shëndetësore e të plagosurve është e stabilizuar.
Policia ka nisur hetimet për të përcaktuar përgjegjësitë dhe rrethanat e plota të aksidentit.