Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar mbrëmjen e kësaj të mërkure në aksin kombëtar Librazhd–Qafë Thanë, ku një kamion i tonazhit të rëndë ka dalë nga rruga dhe është rrokullisur në anë të saj.
Sipas informacioneve paraprake, ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:45 në zonën e njohur si “Kthesat e Qafë-Thanës”. Dyshohet se drejtuesi i mjetit ka humbur kontrollin, duke bërë që kamioni të përfundojë jashtë karrexhatës.
Menjëherë pas sinjalizimit, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e emergjencës dhe forcat e policisë, të cilat po punojnë për menaxhimin e situatës dhe kryerjen e veprimeve procedurale.
Deri tani nuk ka ende një informacion zyrtar mbi gjendjen shëndetësore të drejtuesit të kamionit apo nëse ka persona të tjerë të lënduar nga aksidenti.
Autoritetet po hetojnë për të zbardhur rrethanat dhe shkaqet që çuan në daljen e mjetit nga rruga, ndërsa pritet edhe një reagim zyrtar nga policia me më shumë detaje mbi ngjarjen.
