Një aksident rrugor është regjistruar ditën e sotme në aksin nacional Fier-Shegan-Kuçovë, ku një automjet i tonazhit të rëndë, tip trajler, dyshohet se është bërë shkak për përplasjen e disa mjeteve.

Në aksident janë përfshirë dy automjete, ndërsa ende nuk është e qartë nëse përplasja mes tyre ka ardhur si pasojë e manovrës së trajlerit apo është shkaktuar nga përplasja e drejtpërdrejtë mes dy mjeteve.

Si pasojë e aksidentit, një e re ka mbetur e lënduar dhe është transportuar për ndihmë mjekësore në Spitalin e Lushnjës.

Automjeti me të cilin ajo udhëtonte ka përfunduar duke u përplasur me një shtyllë të tensionit të mesëm, ndërsa një tjetër automjet, tip “Audi”, ka pësuar dëme materiale.

Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë, të cilat po punojnë për zbardhjen e plotë të dinamikës së aksidentit.

Ndërkohë, policia ka nisur kërkimet për drejtuesin e trajlerit, i cili dyshohet se është larguar nga vendngjarja pas aksidentit.