Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur në aksin nacional Lushnjë-Berat, pranë zonës së Kashtbardhës, ku janë përfshirë tre automjete.

Si pasojë e përplasjes, dy drejtuesit e mjeteve që u përplasën kokë më kokë kanë mbetur të plagosur rëndë dhe janë transportuar për ndihmë mjekësore në Spitalin e Lushnjës.

Sipas dëshmisë së drejtueses së një automjeti “Fiat”, një makinë tip “Benz” ishte duke kryer një parakalim në korsinë në drejtim të Lushnjës. Gjatë manovrës, “Benz”-i ka prekur automjetin “Fiat” dhe më pas është përplasur frontalish me një “Ford”.

Nga goditja, automjeti “Ford” ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në kanalin anësor.

Në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë, të cilat kanë ndërhyrë për menaxhimin e situatës dhe kanë bllokuar përkohësisht qarkullimin në këtë aks.

Ndërkohë, grupi hetimor po punon për të përcaktuar dinamikën e plotë të aksidentit dhe shkaqet që çuan në përplasjen e tre automjeteve.