Një aksident i rëndë rrugor është shënuar mesditën e kësaj të premteje në aksin kombëtar Peqin-Elbasan, në fshatin Lazarej, në Njësinë Administrative Përparim të Bashkisë Peqin.

Mësohet se dy automjete janë përplasur me njëra-tjetrën, ndërsa përplasja ka qenë e fortë. Siç shihet edhe nga pamjet nga vendngjarja, një prej mjeteve ka pësuar dëmtime të konsiderueshme në pjesën e përparme.

Si pasojë e aksidentit ka mbetur i plagosur drejtuesi i njërit prej automjeteve. Ai është transportuar për ndihmë mjekësore, ndërsa ende nuk ka të dhëna zyrtare për gjendjen e tij shëndetësore.

Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë Rrugore, të cilat po punojnë për të përcaktuar rrethanat dhe dinamikën e përplasjes.

Deri në këtë moment, autoritetet nuk kanë bërë të ditur zyrtarisht shkaqet e aksidentit apo nëse ka persona të tjerë të dëmtuar. Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes.