Një aksident rrugor është bërë shkak që rruga ndërkombëtare Shqipëri-Maqedoni e Veriut në Qafë-Thanë të bllokohet për një kohë të pacaktuar.

Policia Kufitare e Korçës e ka konfirmuar bllokimin e qarkullimit që prej orëve të paradites. Shkak është bërë rrëzimi i një autoboti me gaz në pjesën maqedonase, teksa sipas kufitarëve të Qafë Thanës, aksi do të rihapet vetëm pasi të kalohet rreziku në rrugë.

“Paraditen e sotme, jemi njoftuar nga policia e Maqedonisë së Veriut, se në aksin rrugor ‘Strugë-Qafë Thanë’, rreth 3 km nga dogana maqedonase, si pasojë e një aksidenti rrugor, një autobot me gaz, ka bllokuar rrugën”, tha policia.

Dhe më tej sqaron procedurat dhe lajmëron çdo drejtues mjeti apo udhëtar:

“Për këtë arsye ju bëjmë me dije se, do të bllokohet lëvizja e mjeteve në dalje të Republikës së Shqipërisë dhe në hyrje të Maqedonisë së Veriut, deri në momentin kur rruga të jetë hapur plotësisht dhe e kalueshme për mjetet”.