Një aksident i shumëfishtë ka ndodhur pasditen e sotme në aksin autostradal Elbasan–Tiranë, pranë Tunelit të Krrabës.
Sipas burimeve nga vendngjarja, të paktën dhjetë automjete janë përfshirë në përplasjen zinxhir, ndërsa tre prej tyre kanë përfunduar mbi njëri-tjetrin për shkak të goditjes së fortë. Fatmirësisht, deri në këto momente nuk raportohen dëme në njerëz, por dëmet materiale janë të konsiderueshme. Policia Rrugore dhe shërbimet e emergjencës ndodhen në vendngjarje, ndërsa po punojnë për normalizimin e situatës dhe sqarimin e rrethanave të aksidentit.
Trafiku në këtë segment është tejet i rënduar, pasi fluksi i mjeteve nga Tirana drejt Elbasanit është shumë i lartë në këtë orar. Autoritetet u bëjnë apel drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar dhe të respektojnë sinjalizimet e përkohshme në zonë derisa qarkullimi të rikthehet në normalitet.



