Një aksident i rëndë ka ndodhur ditën e sotme në qendër të qytetit të Beratit, ku një person ka mbetur i plagosur.
Raportohet se ngjarja ka ndodhur në aksin rrugor “Axhensi-Ish-Merkata”, ku mjeti tip “Golf” përplasi këmbësorin 60-vjeçar. Ky i fundit mori plagë kritike në trup dhe kokë dhe u dërgua me urgjencë drejt Spitalit Rajonal Berat. Makina dyshohet se ishte duke qarkulluar me shpejtësi në këtë rrugë dhe ka përplasur këmbësorin që po kalonte nga njëra anë e rrugës në tjetrën.
Në vendngjarje kanë shkuar forcat e Policisë Rrugore, që përpos këqyrjes së vendngjarjes po kryejnë edhe verifikimin e pamjeve të kamerave të sigurisë të bizneseve të zonës, ndërkohë që 20-vjeçari që ishte në drejtim të automjetit tip “Golf” është shoqëruar në polici, për të dhënë dëshminë e tij rreth ngjarjes.
