Një aksident rrugor është regjistruar paraditen e së enjtes në dalje të tunelit të Skërficës, në aksin Kardhiq–Delvinë, ku dy persona kanë mbetur të plagosur.
Sipas burimeve zyrtare, automjeti tip Mercedes Benz me drejtues Denis Metaj, 37 vjeç, banues në Vlorë, ka humbur kontrollin dhe është përplasur me murin mbrojtës anësor të rrugës. Për pasojë, Metaj ka pësuar plagë në fytyrë të shkaktuara nga thyerja e xhamit të automjetit.
Pasagjeri që ndodhej në makinë, Hati Rakipaj, 21 vjeç, gjithashtu banues në Vlorë, ka mbetur më i dëmtuar, duke pësuar një frakturë në këmbë.
Të dy të lënduarit janë transportuar fillimisht në urgjencën e Spitalit të Sarandës, ku mjekët konfirmuan se ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Ata do të transferohen me ambulancë drejt Spitalit Rajonal të Vlorës për trajtim të mëtejshëm.
Në vendngjarje mbërritën menjëherë shërbimet e Qarkullimit Rrugor të Sarandës, të cilat po punojnë për të zbardhur shkaqet e plota të aksidentit. Paraprakisht dyshohet se shkak mund të ketë qenë humbja e kontrollit mbi mjetin.