Një aksident është regjistruar pasditen e sotme në hyrje të qytetit të Durrësit, ku një automjet ka përfunduar në kanal.
Sipas informacioneve paraprake, drejtuesja e mjetit, shtetasja me iniciale Xh. K., rreth 24 vjeç, ka mbetur e plagosur dhe është transportuar me urgjencë drejt spitalit, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Dyshohet se automjeti, i cili vinte nga autostrada Tiranë–Durrës, ka qenë me shpejtësi të lartë.
Fillimisht e reja është përplasur me një shtyllë dhe më pas, si pasojë e përplasjes dhe shpejtësisë, ka përfunduar në kanalin e ujërave të larta.
Njoftimi i policisë:
Rreth orës 17:15, tek vendi i quajtur “Ura e Dajlanit”, automjeti me drejtuese shtetasen Xh. K., rreth 24 vjeçe, dyshohet se si pasojë e humbjes së kontrollit mbi drejtimin automjetit nga ana e 24-vjeçares, ka dalë nga rruga dhe ka rënë në kanal. Si pasojë, 24-vjeçarja ndodhet në spital duke marrë ndihmë mjekësore, jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor në vendngjarje po punon për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.




