Një këmbësor i moshuar ka mbetur i plagosur rëndë pasditen e sotme në Elbasan, pasi është përplasur nga një automjet.
Aksidenti është regjistruar rreth orës 17:15, në zonën e njohur si ish-Parku i Rezervave të Shtetit. Sipas informacioneve paraprake, automjeti ka goditur të moshuarin teksa ai po lëvizte në këmbë, duke i shkaktuar dëmtime të rënda.
Deri më tani nuk ka një njoftim zyrtar për identitetin e të plagosurit apo gjendjen e tij shëndetësore. Gjithashtu, mbeten ende të paqarta rrethanat dhe shkaqet e aksidentit.
Në momentin e përplasjes, në qytet raportohet për mot të keq dhe shikueshmëri të reduktuar, kushte që mund të kenë vështirësuar qarkullimin.
Autoritetet pritet të zbardhin dinamikën e ngjarjes dhe të përcaktojnë përgjegjësitë për aksidentin.
