Një aksident i rëndë ka ndodhur rreth orës 18:00 në bulevardin kryesor të Kavajës, ku janë përfshirë dy automjete tip “Golf”. Sipas informacioneve paraprake, drejtuesi i njërit prej automjeteve ka humbur kontrollin e mjetit dhe është përplasur fillimisht me një tjetër “Golf” të parkuar.
Pas përplasjes, automjeti është përmbysur në mes të rrugës, duke shkaktuar panik te qytetarët, pasi zona është një nga më të frekuentuarat në qytet. Fatmirësisht, automjeti nuk lëvizte me shpejtësi të lartë, çka shmangu pasoja më të rënda.
Policia mbërriti menjëherë në vendngjarje dhe koordinoi ndërhyrjen e ambulancës. Drejtuesi i mjetit, një i ri me inicialet F.K., u transportua fillimisht në spitalin e Kavajës për ndihmën e parë dhe më pas në spitalin e Durrësit për trajtim më të specializuar. Ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor i Policisë së Shtetit vazhdon punën në vendngjarje për të sqaruar shkaqet e aksidentit dhe rrethanat e plota të ngjarjes.
