Një aksident i rëndë është regjistruar pak minuta më parë në aksin rrugor Pogradec-Drilon, ku një person që po lëvizte me biçikletë është përplasur nga një kamion.

Ngjarja ka ndodhur pranë hyrjes së një kantieri ndërtimi. Përplasja ka shkaktuar plagosjen e rëndë të çiklistit, i cili është dërguar për ndihmë mjekësore në spitalin e Pogradecit.

Për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore, raportohet se i plagosuri pritet të transportohet drejt Tiranës, ku do të marrë trajtim më të specializuar.

Në vendin e aksidentit kanë mbërritur shërbimet e Policisë, të cilat kanë nisur veprimet për dokumentimin e ngjarjes dhe përcaktimin e shkaqeve të aksidentit.