Një aksident rrugor me pasojë plagosjen e tre personave është shënuar në superstradën Lezhë-Milot, në afërsi të fshatit Gajush.
Sipas informacioneve paraprake, në përplasje janë përfshirë tre automjete, ndërsa nga goditja kanë mbetur të lënduar dy burra dhe një grua. Të plagosurit janë dërguar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Lezhës, ku po marrin trajtim mjekësor.
Burime nga spitali bëjnë me dije se gjendja e tyre shëndetësore është stabël dhe fatmirësisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Në vendin e ngjarjes kanë ndërhyrë efektivët e Policisë dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave që çuan në aksident.
