Një aksident i rëndë ka ndodhur rreth mesnatës në Vlorë, ku një vajzë ka mbetur e plagosur. Raportohet se ngjarja ka ndodhur në rrugën “Transballkanike”, ku një automjet tip ‘Porsche’ ka përplasur një vajzë të re, e cila në ato momente po kalonte rrugën në vijat e bardha. Pas përplasjes, automjeti nuk është ndalur, por është larguar nga vendi i ngjarjes.

E reja është marrë dhe është transportuar në spital për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore, ndërsa në vendngjarje është njoftuar edhe Policia. Disa kalimtarë që kanë qenë pranë vendit të aksidentit pretendojnë se automjeti ka hyrë në kryqëzim duke kaluar me semafor të kuq. Megjithatë, kjo mbetet një dëshmi paraprake dhe pritet të verifikohet nga Policia përmes këqyrjes së kamerave të sigurisë dhe veprimeve të tjera hetimore.

Ende nuk ka një informacion zyrtar mbi gjendjen shëndetësore të vajzës dhe as mbi identitetin e drejtuesit të automjetit që u largua pas përplasjes. Policia e Vlorës pritet të dalë me një njoftim zyrtar lidhur me ngjarjen, ndërsa vijojnë veprimet për zbardhjen e rrethanave të aksidentit dhe identifikimin e automjetit.