Një aksident i rëndë automobilistik është regjistruar mëngjesin e sotëm në zonën e njohur si Jalë e Nartës, në lagjen “24 Maji” të Vlorës.

Përplasja ka ndodhur rreth orës 06:45 dhe në të janë përfshirë dy automjete, një “Fiat” dhe një “Volkswagen”, ky i fundit me gjashtë persona në bord. Përplasja ka qenë e fortë, ndërsa njëri prej mjeteve ka humbur kontrollin dhe ka përfunduar jashtë rrugës.

Si pasojë e aksidentit, pesë persona kanë mbetur të plagosur. Sipas të dhënave paraprake, të lënduarit dyshohet se janë shtetas të huaj, me origjinë indiane dhe afgane. Ata po udhëtonin drejt vendit të punës në momentin kur ndodhi përplasja.

Pamjet nga vendngjarja tregojnë disa prej të plagosurve të shtrirë në rrugë, ndërsa pak minuta më vonë ata janë transportuar me autoambulancë drejt Spitalit Rajonal të Vlorës, ku kanë marrë ndihmën e parë mjekësore.

Nuk ka ende informacion të plotë për gjendjen shëndetësore të të plagosurve.

Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e Policisë, të cilat kanë nisur hetimet për të zbardhur dinamikën e aksidentit. Grupi hetimor po punon për të përcaktuar shkaqet e përplasjes dhe rrethanat që çuan në daljen e njërit prej automjeteve nga rruga.

Pritet që në vijim të bëhen të ditura më shumë detaje mbi identitetin e personave të përfshirë dhe gjendjen e tyre shëndetësore.