Një aksident rrugor ka ndodhur mesditën e sotme në aksin Lezhë-Shkodër, në afërsi të fshatit Balldren.
Në përplasjen e ndodhur janë përfshirë tre automjete, një autobus i punonjësve italiane të kampit të emigranteve të Gjadrit, një kamionçinë dhe një autoveturë. Sipas raportimeve të deritanishme, nga aksidenti kanë mbetur te lënduar dy persona, ndërsa policia ndodhet në vendngjarje.
Mësohet se kamionçina po lëvizte në drejtim të Balldrenit kur është ndeshur ballë për balle me autoveturën që po tentonte të parakalonte autobusin me punonjësit e kampit të Gjadrit, në një segment ku sinjalistika nuk e lejon diçka të tillë.
Për shkak të përplasjes së fortë kamionçina është rrotulluar në drejtim të kundërt me lëvizjen duke prekur edhe autobusin që lëvizte në drejtim të Lezhës. Për pasojë, trafiku në këtë segment u bllokua për rreth një orë, duke shkaktuar radhë të gjata automjetesh.