Një aksident i rëndë i ka marrë jetën një 9-vjeçari në Vlorë. 

Shoferi 36-vjeçar ka humbur kontrollin mbi mjetin duke u përplasur me bordurën në aksin Palasë-Dhërmi, teksa rezultoi se ai ishte i dehur. 

I plagosur si pasojë e përplasjes ka mbetur edhe një 20-vjeçar, i cili është i shtruar në Spitalin e Traumës. 

36-vjeçari është arrestuar nga policia për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”. 

Njoftimi i policisë: 

Specialistët e Seksionit të Trafikut Urban dhe Interurban në DVP Vlorë arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, shtetasin M. K., 36 vjeç, banues në Librazhd, pasi më datë 24.07.2025, rreth orës 23:10, në aksin rrugor Palasë–Dhërmi, duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e mjetit dhe është përplasur me bordurën anësore të rrugës. 

Si pasojë e aksidentit, ka humbur jetën në vendngjarje njëri prej pasagjerëve, një i mitur 9 vjeç. Gjithashtu, është dëmtuar pasagjeri tjetër, shtetasi E. A., 20 vjeç, i cili ndodhet në Spitalin e Traumës, nën kujdesin e mjekëve.