Një aksident rrugor është regjistruar pasditen e sotme në aksin nacional Levan–Tepelenë, pranë fshatit Kafaraj në Fier. Ngjarja ka ndodhur pas një përplasjeje midis një automjeti dhe një motori.
Si pasojë e aksidentit, drejtuesi i motorit ka mbetur i plagosur dhe është dërguar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Fierit. Burime nga spitali bëjnë me dije se ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Sipas të dhënave paraprake, ngjarja ka ndodhur në një segment rrugor të njohur për qarkullim të dendur dhe shpejtësi të lartë të automjeteve – faktorë që shpesh kontribuojnë në aksidente të këtij lloji.
Forcat e policisë mbërritën menjëherë në vendngjarje dhe po punojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e incidentit. Grupi hetimor po kryen veprimet përkatëse për të përcaktuar shkakun dhe përgjegjësitë e aksidentit.
