Një aksident rrugor është regjistruar në aksin nacional Lushnjë–Berat, në qendër të fshatit Fier-Shegan, ku janë përfshirë dy automjete.

Si pasojë e përplasjes, një grua e moshuar ka mbetur e lënduar dhe është transportuar me urgjencë drejt Spitalit të Lushnjës, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Në vendngjarje kanë ndërhyrë fillimisht forcat e ushtrisë, të cilat kanë menaxhuar qarkullimin e automjeteve deri në mbërritjen e efektivëve të Policisë Rrugore.

Sipas informacioneve paraprake, aksidenti ka ndodhur pasi një automjet tip “Benz” është përplasur me një automjet tip “Volkswagen” nga pas.

Policia ka nisur hetimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe për përcaktimin e shkaqeve që çuan në aksident.