Një aksident rrugor është regjistruar në aksin Lushnjë–Berat, ku një automjet ka dalë nga rruga dhe është përmbysur në kanalin anësor.
Për pasojë ka mbetur i plagosur drejtuesi i mjetit, një shtetas i huaj 32-vjeçar, Smarsuel Gurezi, i cili ushtron profesionin e pastorit.
Sipas informacioneve paraprake, automjeti tip “Dacia” ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në kanalin buzë saj. Fatmirësisht, në kanal nuk kishte ujë, duke shmangur një situatë edhe më të rrezikshme.
Për shkak të përmbysjes, dyert e automjetit janë bllokuar dhe 32-vjeçari ka mbetur i bllokuar brenda. Për nxjerrjen e tij është dashur ndërhyrja e forcave zjarrfikëse, të cilat kanë prerë pjesë të llamarinës së automjetit dhe kanë bërë të mundur nxjerrjen e të plagosurit.
32-vjeçari është transportuar në spitalin e Lushnjës për të marrë ndihmë mjekësore. Sipas të dhënave paraprake, ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Policia ka nisur hetimet për përcaktimin e shkaqeve të aksidentit. Dyshimet e para lidhen me shpejtësinë e lëvizjes ose një parakalim të gabuar.
