Një aksident rrugor ka ndodhur mëngjesin e sotëm në rrugën nacionale Maqellarë–Peshkopi, ku dy persona janë plagosur.

Mësohet se ngjarja ka ndodhur në vendin e quajtur Melan, ku dy automjete janë përplasur me njëra-tjetrën. Si pasojë e aksidentit, një çift bashkëshortësh ka mbetur i lënduar dhe është transportuar me ambulancë drejt Spitalit të Peshkopisë për ndihmë mjekësore. Mësohet se gruaja e plagosur ishte shtatzënë.

Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë, të cilat po kryejnë hetimet për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit. Dyshohet se mjegulla e dendur dhe prania e akullit në rrugë mund të kenë ndikuar në ndodhjen e përplasjes. Autoritetet u bëjnë apel drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar, të ulin shpejtësinë dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.