Një aksident rrugor është regjistruar këtë të dielë rreth orës 14:35 në aksin “Pogradec-Korçë”, ku një automjet ka dalë nga rruga, duke lënë të plagosura dy persona.
Sipas informacioneve zyrtare nga policia, shtetasja D. M., 27 vjeçe, duke drejtuar mjetin tip “Ford”, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit, çka ka sjellë daljen e tij nga rruga.
Si pasojë e aksidentit, është dëmtuar vetë drejtuesja e automjetit si dhe nëna e saj, e cila ndodhej si pasagjere në mjet. Të dyja janë transportuar menjëherë në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për të zbardhur plotësisht rrethanat e aksidentit dhe shkaqet që çuan në humbjen e kontrollit të mjetit.
