Një aksident rrugor me pasojë plagosjen e një të mituri ka ndodhur në aksin rrugor Sarandë-Delvinë, në afërsi të fshatit Karahaxh.

Një automjet tip “Golf”, i cili drejtohej nga një 16-vjeçar i identifikuar me inicialet D. C., ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në kanal. Kanë qenë kalimtarët e rastit ata që kanë njoftuar menjëherë uniformat blu dhe ambulancën pas rënies në kontakt me skenën e rëndë.

I mituri është transportuar me urgjencë drejt spitalit të Sarandës, ku pas ekzaminimeve mjekësore është konstatuar se ka pësuar thyerje të këmbës dhe disa dëmtime të tjera të lehta në trup. Për shkak të nevojës për mjekim më të specializuar, pritet transportimi i tij drejt spitalit të Traumës në Tiranë.

Para bluve, drejtuesi 16-vjeçar ka dhënë një dëshmi paraprake mbi dinamikën e ngjarjes, duke u shprehur se dyshon që mjeti i tij është fërkuar me një makinë tjetër para se të humbiste kontrollin, megjithatë ka shtuar se nuk ka një memorie të qartë për shkak të tronditjes.

Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor, i cili po punon për zbardhjen e plotë të shkaqeve të këtij aksidenti.