Një aksident rrugor është regjistruar mëngjesin e kësaj të diele në autostradën Lushnje–Fier, pranë daljes së rrethrrotullimit të Kolonjës.
Sipas informacioneve paraprake, një automjet tip “Audi” ka humbur kontrollin dhe ka dalë nga rruga, duke u përplasur me një pemë në anë të saj.
Si pasojë e aksidentit, është lënduar një grua rreth 65 vjeçe, pasagjere në automjet, e cila është transportuar në spital për ndihmë mjekësore. Ndërkohë, drejtuesja e mjetit nuk ka pësuar dëmtime.
Menjëherë pas ngjarjes në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë Rrugore, të cilat po hetojnë rrethanat dhe shkaqet e aksidentit. Për shkak të ngjarjes, qarkullimi në zonë është rënduar përkohësisht.
Hetimet paraprake sugjerojnë se drejtuesja mund të ketë humbur kontrollin e automjetit, çka ka sjellë daljen nga rruga dhe përplasjen me pemën. Policia vijon punën për zbardhjen e plotë të rastit.
