Një aksident ka ndodhur mesditën e sotme në autostradën Vlorë–Fier, ku një automjet është përplasur me një motor.

Raportohet se ngjarja ka ndodhur pranë nënkalimit të Panajasë, ku një grup motoristësh ishin duke udhëtuar. Ndërsa motorët e tjerë kanë marrë daljen nga autostrada, një prej tyre është futur në autostradë në momentet e fundit. Kjo lëvizje ka bërë që një automjet tip “Audi Q5”, që po qarkullonte në të njëjtin drejtim, ta godasë nga pas. Si pasojë e përplasjes, drejtuesi i motorit ka mbetur i lënduar lehtë dhe ka marrë plagë të lehta, por fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë, të cilat po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit. Trafiku në zonë ka vijuar normalisht pas largimit të mjeteve të përfshira në përplasje.