Një aksident ka ndodhur në afërsi të një rreth-rrotullimi, në bypass-in e autostradës në Lushnje.
Një automjet tip “Ford” ka dalë nga rruga dhe është përplasur me murin e një biznesi, duke rrëzuar edhe një shtyllë ndriçimi. Pas përplasjes, makina është rrotulluar disa herë dhe ka përfunduar e përmbysur në njërën anë të rrugës.
Si pasojë e aksidentit, drejtuesi i automjetit ka mbetur i lënduar dhe është transportuar me urgjencë drejt Spitalit të Lushnjës, ku po merr ndihmën mjekësore.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë së Qarkullimit, të cilat po punojnë për dokumentimin e aksidentit dhe menaxhimin e trafikut. Ndërkohë, grupi i Policisë Shkencore po kryen ekspertizën për të përcaktuar rrethanat e plota të ngjarjes.
Nga të dhënat paraprake dyshohet se automjeti ka qenë duke lëvizur me shpejtësi mbi normat e lejuara, çka mund të ketë bërë që drejtuesi të humbiste kontrollin dhe të dilte nga rruga.
