Bulqizë – Një aksident tjetër i rëndë i radhës ka ndodhur në minierën e Bulqizës, ku për pasojë është plagosur një minator. Ngjarja e rëndë ka ndodhur gjatë ditës së djeshme, në të ashtuquajturën Zona D e minierës. Burime nga policia konfirmojnë se gjatë paradites në një nga galeritë e shumta të kësaj zone është shembur një masiv gurësh që ka aksidentuar në gjendje të rëndë minatorin Surja Skara, 26 vjeç, banor i qytetit të Bulqizës. I aksidentuari është goditur nga shembja e masivit të gurëve të galerisë, duke marrë plagë të rënda në kokë dhe këmbë. Menjëherë pas aksidentit, i riu është transportuar në spitalin e Bulqizës për ndihmë mjekësore. Mjekët e këtij spitali konstatuan se gjendja shëndetësore e 26-vjeçarit ishte tejet e rëndë që kërkonte ndërhyrje të specializuara mjekësore. Kjo ka bërë që i aksidentuari të përcillet me helikopter drejt Spitalit Ushtarak në Tiranë. Aksidenti i ditës së djeshme ndodhi vetëm një ditë pas atij të Theknës në Martanesh, ku humbi jetën minatori 61-vjeçar Gani Doçi. Ndërkaq, policia ka shoqëruar 12 persona, pasi akuzohen për ushtrim aktiviteti të paligjshëm në minierën e Bulqizës në sajë të një operacioni të ndërmarrë nga bashkëpunimi i strukturave policore të Qarkut të Dibrës. Kështu policia ka shoqëruar shtetasit: Ilir Alla, Sazan Xhetani, Riza Shehu, Agron Jella, Lirim Gjeci, Bujar Zogu, Edison Lici, Ismet Zogu, Luan Shyti, Maksim Jangulli, Eduart Vieishta dhe Valter Truka. Sipas burimeve policore mësohet se operacioni shënon ditën e tretë të tij dhe deri tani janë shoqëruar 12 persona, ndërkohë që po kryen verifikime dhe hetime të mëtejshme për penalizmin e tyre për shkak të ushtrimit të këtij aktiviteti. Operacioni vjen edhe në kuadër të aksidenteve të shumta dhe humbjeve të jetëve të minatorëve që punojnë atje. H. Likdisha