Ngjarja
“Shqip” publikoi rrezikun që paraqet ky segment
Aksidentet automobilistike marrin dy jetë të tjera njerëzish, ndërsa një i tretë gjendet në gjendje mjaft kritike për jetën në spitalin e Fierit. Aksidenti i rëndë automobilistik ka ndodhur paraditen e djeshme rreth orës 10:30, në vendin e quajtur Qafa e Koshovicës, në aksin Fier-Levan të rrugës nacionale që të çon drejt qytetit bregdetar të Vlorës. Sipas burimeve të Policisë së Fierit, dy viktimat e aksidentit kanë qenë dy pasagjerët Taulant Troka 33 vjeç, dhe Lorenc Troka 22 vjeç, ndërsa drejtuesi i mjetit, 33-vjeçari Bejo Troka ka arritur të mbijetojë. Sipas të njëjtave burime, i mbijetuari ka qenë duke drejtuar një autoveturë tip “Audi” me targa FR 5573, kur është përplasur me një automjet tjetër me targa AA 336 AP, e më pas ka humbur kontrollin. Në këtë moment autovetura tip “Audi” në të cilën ndodheshin tre kushërinjtë nga fshati Kafaraj i Komunës Frakull të Rrethit të Fierit është përplasur me një kamion disa tonësh me targa FR 4365 C dhe ka përfunduar i përmbysur në kanal në anë të rrugës. Si pasojë e goditjes së fortë kanë mbetur të vdekur në vend Lorenc e Taulant Troka. Sipas burimeve të policisë, dyshohet se shkak i aksidentit të ketë qenë shpejtësia e madhe me të cilën po drejtohej mjeti tip “Audi”, si dhe humbja e kontrollit të tij. Ndërkaq, mjekët janë shprehur se dy viktimat kanë ndërruar jetë pas goditjeve të rënda që kanë marrë në kokë dhe pjesë të ndryshme të trupit që ju kanë dëmtuar organet jetësore dhe u kanë shkaktuar hemorragji të brendshme. Bluzat e bardha pohojnë se edhe drejtuesi i mjetit ka marrë plagë të rënda në pjesë të ndryshme të trupit. Mësohet se drejtuesi i mjetit jetonte e punonte prej vitesh jashtë shtetit dhe se kishte pak kohë që ishte kthyer pranë familjes me rastin e pushimeve verore.
Gjatë tri ditëve të fundit janë shënuar dhjetëra aksidente, ku rezulton të kenë humbur jetën rreth 10 persona e të jenë plagosur rreth 25 të tjerë. Vetëm pak ditë më parë, gazeta “Shqip” publikoi gjithë akset e rrugëve nacionale që janë kthyer në vrastare të drejtuesve të mjeteve dhe pasagjerëve. Pikërisht, vendi ku ndodhi aksidenti i djeshëm i përket segmentit Fier-Levan të rrugës nacionale. Ky segment cilësohej në artikullin e publikuar në “Shqip” pak ditë më parë, si një nga pjesët e rrugës nacionale ku ndodhin më shumë aksidente automobilistike, ku nuk kanë munguar as ato me vdekje. Në këtë segment rrugor kthesat janë të shumta e të padukshme. Gjithashtu, amortizimi i rrugës automobilistike dhe gropat e ndodhura aty e bëjnë të vështirë qarkullimin e mjeteve, duke sjellë shpeshherë aksidente fatale. E.Hoxha