Një aksident rrugor është regjistruar në Unazën e Madhe të Tiranës, pranë mbikalimit të Tufinës, duke paralizuar qarkullimin e automjeteve në këtë segment.

Sipas të dhënave paraprake, të tria korsitë e rrugës janë bllokuar, duke shkaktuar radhë të gjata automjetesh dhe trafik të rënduar. Ndërkohë, drejt vendit të ngjarjes është nisur ambulanca.

Deri më tani, nuk ka të dhëna të konfirmuara për numrin e personave të përfshirë në aksident apo nëse ka të lënduar.

Drejtuesit e mjeteve që kalojnë në këtë zonë këshillohen të tregojnë kujdes dhe, nëse është e mundur, të zgjedhin rrugë alternative deri në normalizimin e qarkullimit.