Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur paraditen e sotme përballë godinës së Kuvendit të Shqipërisë, ku një automjet ka përplasur një këmbësor rreth 55 vjeç, teksa ai po kalonte rrugën.

Sipas dëshmitarëve, përplasja ka qenë e fortë dhe burri ka pësuar plagë të rënda. Menjëherë pas ngjarjes, në vendin e aksidentit ka mbërritur ambulanca, e cila e ka transportuar të lënduarin drejt Spitalit të Traumës, ku po merr ndihmën e nevojshme mjekësore.

Ndërkohë, drejtuesi i mjetit është shoqëruar nga policia për të dhënë deklaratën e tij në lidhje me rrethanat e aksidentit. Forcat e rendit vijojnë hetimet për të zbardhur shkaqet që çuan në këtë ngjarje.