Një aksident i rëndë ka ndodhur në aksin rrugor Fushë-Krujë–Tiranë, pranë fshatit Larushk, ku një 23-vjeçar me shtetësi egjiptiane ka humbur jetën.
Sipas të dhënave paraprake, ngjarja ka nisur pasi një automjet tip “Audi”, që drejtohej nga një 18-vjeçar me inicialet M.S., dyshohet se ka kryer një parakalim të gabuar.
Për të shmangur përplasjen, drejtuesi i një automjeti “Volkswagen” ka devijuar nga trajektorja dhe ka përfunduar duke u përplasur me barrierat anësore të rrugës.
Nga përplasja ka humbur jetën në vend 23-vjeçari E.A., shtetas egjiptian, i cili ndodhej si pasagjer në automjet. Sipas informacionit paraprak, i riu punonte si mekanik në kompaninë e 18-vjeçarit që drejtonte “Audin”.
Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë shërbimet e emergjencës dhe grupi hetimor, ndërsa vijojnë veprimet për të përcaktuar dinamikën e plotë të aksidentit.
Autoritetet po punojnë për dokumentimin e ngjarjes dhe përcaktimin e përgjegjësive, ndërsa informacionet e para mbeten në pritje të konfirmimit zyrtar.
