Një aksident i rëndë rrugor në Gjermani u ka marrë jetën tre personave, mes tyre edhe dy të rinjve shqiptarë nga Kosova, Leart Morina nga Sopniqi dhe Berhan Zeka.
Ngjarja tragjike ndodhi pasditen e së dielës në aksin B311, pranë qytetit Erbach, në qarkun Alb-Donau, ku u përfshinë nëntë automjete pas një përplasjeje të fortë ballore.
Sipas policisë gjermane, dy drejtuesit e mjeteve, përkatësisht 18 dhe 19 vjeç, humbën jetën në vendngjarje. Ndërkohë, një pasagjer 26-vjeçar, i cili ishte dërguar në spital në gjendje kritike, ndërroi jetë disa orë më vonë, gjatë mbrëmjes së së dielës.
Në njërin prej automjeteve ndodheshin edhe dy persona të tjerë, një 26-vjeçar dhe një 26-vjeçare, të cilët pësuan lëndime tepër të rënda. Për gjendjen shëndetësore të vajzës nuk është dhënë ende një informacion zyrtar. Nga përplasja mbetën të plagosur edhe tre persona të tjerë.
Nga hetimet paraprake dyshohet se aksidenti u shkaktua pasi drejtuesi 18-vjeçar humbi kontrollin e makinës gjatë një manovre parakalimi. Ai po lëvizte me shpejtësi të lartë në segmentin mes Dellmensingen dhe Donaurieden, kur automjeti doli nga kontrolli, u përplas me disa makina dhe më pas goditi ballazi një mjet që vinte nga drejtimi i kundërt.
Forca e përplasjes ishte aq e madhe, sa automjeti i dyshuar si shkaktar i aksidentit u nda në disa pjesë. Në vendngjarje u angazhuan forca të shumta policore, ekipe zjarrfikëse dhe shërbime emergjence, përfshirë edhe personel për mbështetjen psikologjike të të prekurve.
Për shkak të aksidentit, aksi rrugor B311, që lidh zonat Dellmensingen dhe Donaurieden, u mbajt i bllokuar për më shumë se 20 orë.
