Rrugët e Shqipërisë janë përgjakur edhe gjatë muajit korrik, me 13 persona që kanë humbur jetën dhe 222 të tjerë që kanë mbetur të plagosur në aksidente rrugore. Sipas të dhënave të INSTAT, gjatë muajit janë regjistruar 165 aksidente, një shifër që e rendit korrikun ndër muajt me numrin më të lartë të aksidenteve në pesë vitet e fundit, teksa pas shifrave fshihen pakujdesia, shpejtësia dhe shkelja e rregullave të qarkullimit.
Rrugët në Shqipëri janë përgjakur me 13 viktima gjatë muajit korrik të 2026, teksa numri i aksidenteve iu rikthehet pranë shifrave rekord në 5 vitet e fundit. Ndërkohë 222 njerëz të tjerë kanë mbetur të plagosur, sipas të dhënave të INSTAT.
Pakujdesia e drejtuesve të automjeteve, mosrespektimi i rregullores, shpejtësia mbi kufizimet apo dhe ngarja e veturave në gjendje të dehur kanë sjellë 165 aksidente rrugore gjatë muajit në fjalë.
Kështu muaji që lamë pas renditet i dyti pas nëntorit të 2023, ku u regjistruan vetëm 2 aksidente më shumë, nga publikimet e institutit.
Po ashtu edhe numri i aksidenteve rrugore gjatë periudhës janar-korrik 2026 u rritën me 10% krahasuar me të njëjtët muaj të një viti më parë, me 844 aksidente në total dhe 77 më tepër.
Kryeqyteti shënon dhe numrin më të lartë të aksidenteve rrugore me 59 të tilla, dhe të viktimave si pasojë e tyre me 4 humbje jete.
Ndjekur nga Fieri dhe Lezha me 20 aksidente secila. Megjithatë Elbasani pati fatalitetin më të lartë, ku humbën jetën 4 njerëz në 7 aksidente.
Edhe pse grupmosha 25-34 vjeç kanë shkaktuar pjesën më të madhe të aksidenteve me 21.8% e tyre, edhe moshat e treta mbi 60 vjeç kanë qënë gati njësoj problematikë në rrugët e vendit.
E enjtja rezultoi si dita më e rënduar e javës me 18.8% të rasteve ndërsa dita e martë për numrin më të ulët.
Përgjatë pikut të sezonit veror, fasha orare 7 e mbrëmjes deri në mesnatë ka rregjistruar dhe numrin më të lartë të aksidenteve, duke u zhvendosur nga orari problematik i përmuajshëm i pasdites.
