Shpejtësia
Katër aksidente në Shkodër, Lezhë, Tiranë dhe Fier, kanë sjellë vdekjen e katër personave dhe plagosjen e një tjetri. Dy aksidente janë shënuar në rrugën Lezhë-Shkodër, ku kanë humbur jetën dy persona, ndërsa në Tiranë ka vdekur një 21-vjeçare dhe është plagosur një tjetër. Ndërsa aksidenti i katërt ka ndodhur në Fier, ku ka humbur jetën një endacak 63-vjeçar.
Sipas policisë, në aksidentin e parë, në rrugën Lezhë-Shkodër, humbi jetën 75-vjeçari Abaz Alia. Ai ka qenë duke udhëtuar me biçikletë, kur është përplasur për vdekje nga një automjet që udhëtonte nga Lezha drejt Shkodrës. Automjeti që shkaktoi aksidentin është larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa trupi i pajetë i 75-vjeçarit është gjetur vetëm kur ka zbardhur dita. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në kryqëzimin e Mabës, vend ku shënohet numri më i madh i aksidenteve në aksin Lezhë-Shkodër.
Aksidenti i dytë ndodhi rreth orës 10:00 në km e pestë të autostradës Tiranë-Durrës, ndërsa policia sqaroi se viktima është një vajzë 21-vjeçare. Ajo po udhëtonte me një “Mercedes Benz”, me targa TR 39 52 H, kur ka humbur kontrollin dhe ka goditur nga pas një kamion me targa TR 4683 M. Viktima ka pësuar hematoma të rënda, ndërsa ka humbur jetën teksa transportohej për në spital.
Ndërsa rreth mesditës, një 67-vjeçar ka gjetur vdekjen në aksin Shkodër-Velipojë, në vendin e quajtur kryqëzimi i Dajçit. Viktima Simon Vija ka qenë duke udhëtuar me një motoçikletë, kur është përplasur nga një kamionçinë me targa AA 654 DH, që drejtohej nga Ilir Bujari.
Ndërsa aksidenti i katërt i ka marrë jetën një endacaku 63-vjeçar në Fier. Ai ndodhi në aksin rrugor Fier-Tepelenë. Një “Mercedes Benz”, me targa AA377DY, ka aksidentuar 63-vjeçarin Bilbil Gozhina, i cili ka qenë duke ecur anës rrugës. Sipas burimeve, viktima jetonte prej kohësh si endacak. Menjëherë pas goditjes së të moshuarit, drejtuesi i mjetit e ka shoqëruar atë për në spitalin e Fierit, por i plagosuri nuk ka mundur të mbijetojë.